Lajmërim për ndarjen e mbeturinave
Të nderuar qytetarë,
Ndarja e mbetjeve nuk është vetëm një obligim ndaj mjedisit, por edhe një tregues i kulturës qytetare dhe i përgjegjësisë sonë si komunitet. Me hapa të vegjël mund të arrijmë ndryshime të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës në komunën tonë.
Sot kemi mundësinë të bëhemi shembull pozitiv dhe të tregojmë se jemi të gatshëm të ecim drejt standardeve më të avancuara të menaxhimit të mbetjeve. Nëse si komunitet tregojmë vullnet dhe bashkëpunim mund të jemi ndër komunat e para në Mal të Zi që zbatojnë sistemin e grumbullimit të organizuar të mbetjeve të ndara.
Ky është një pilot-projekt dhe suksesi i tij varet në masë të madhe nga përfshirja e qytetarëve. Pikërisht përmes këtij angazhimi tregojmë nivel të lartë qytetarie, kujdes ndaj mjedisit dhe gatishmëri për të qenë partner i besueshëm në projekte të reja. Një qasje e tillë na hap edhe mundësi të shumta për aplikim në projekte të reja evropiane.
Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: sa më pak mbetje të përfundojnë në deponi, e sa më shumë të shkojnë në riciklim.
Me këtë qëllim kemi përgatitur një formular i cili shërben për të vlerësuar interesimin e qytetarëve për ndarjen e mbetjeve dhe ka për qëllim të ndihmojë në organizimin sa më efikas dhe ekonomik të grumbullimit të mbetjeve të ndara dhe të riciklueshme nga amvisëritë. Formulari u dedikohet amvisërive që kanë marrë shportat për riciklim, por jo vetëm atyre — qytetarët që nuk i kanë marrë shportat mund t’i dorëzojnë mbetjet e ndara, nëse i përgatisin ato në mënyrën e duhur duke i nxjerrur në ditën që do të caktohet për atë lloj mbetjeje.
Lidhur më këtë ju ftojmë të klikoni në linkun më poshtë dhe të jepni të dhënat e sakta, në mënyrë që organizimi i këtij shërbimi të bëhet sa më mirë. Theksojmë se të dhënat nuk janë të dukshme për të tjerët dhe nuk do të përdoren për asnjë qëllim tjetër, përveç organizimit të grumbullimit të mbetjeve të ndara dhe të riciklueshme).
Klikoni në link-un: https://forms.gle/4M3u8m7j6ezDEMSN6

Të gjitha informatat shtesë mund t’i merrni përmes numrit pa pagesë të ShPK Komunale Tuzi: 0800 002 34, ose përmes adresës elektronike: info@komunalno-tz.me



