ActivityHeadlineRecent Posts

A word from our CEO

Mirë se vini në faqen zyrtare të sh.p.k. “Komunale” Tuz

Të nderuara qytetare dhe qytetarë të Komunës së Tuzit,

Mirë se vini në faqen zyrtare të SHPK “Komunalno/Komunale” Tuz.

Roli ynë kryesor është i thjeshtë, që shërbimet komunale të jenë të rregullta, të sigurta dhe dukshëm cilësore, dhe që çdo punë të realizohet në mënyrë që qytetarët ta ndjejnë ndryshimin në terren, në rregullimin e hapësirave publike, në besueshmërinë e ndriçimit publik dhe në organizimin më të mirë të sistemit komunal në tërësi.

Që sistemi të funksionojë, esencial është koordinimi me Komunën e Tuzit dhe me organet e administratës lokale, sepse punët komunale nuk janë vetëm operativë, por edhe planifikim, mbikëqyrje dhe zbatim i rregullave. Si drejtor ekzekutiv, do të angazhohem që bashkëpunimi ndërmjet Ndërmarrjes dhe shërbimeve komunale të jetë i rregullt, operativ dhe i matshëm, përmes planeve të qarta, prioriteteve të përcaktuara dhe përgjegjësisë në realizim.

Rol veçanërisht të rëndësishëm në ruajtjen e rendit komunal kanë e dhe shërbimet përkatëse inspektuese, me të cilat do të punojmë në partneritet dhe në vazhdimësi, me qëllim që problemet të zgjidhen me kohë dhe rregullat të vlejnë njësoj për të gjithë. Përveç kësaj, do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë bashkëpunimit me institucionet e tjera, sidomos me institucionet arsimore, si dhe me ndërmarrjet, sepse standardet komunale nuk ndërtohen vetëm me ndërhyrje në terren, por edhe përmes përgjegjësisë së përbashkët, edukimit, parandalimit dhe respektimit të rregullave.

Njëkohësisht, do të angazhohem që Ndërmarrja, në bashkëpunim me Komunën dhe institucionet kompetente, të ndërtojë gradualisht kapacitetet, në mënyrë që në masën më të madhe të mund të realizojmë detyrimet e përcaktuara me ligj dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Fokusi ynë në periudhën e ardhshme është:

  • Menaxhimi i mbeturinave: orar i rregullt i grumbullimit/transportit, zgjerim i mbulimit me shërbim, vendosja dhe forcimi i sistemit të grumbullimit të ndarë dhe vendosja e sistemit të riciklimit
  • Hapësirat publike dhe gjelbërimi: ndërhyrje më të shpejta, prioritete të qarta dhe cilësi e standardizuar e mirëmbajtjes
  • Ndriçimi publik dhe infrastruktura komunale: sanim më efikas i defekteve, evidencë më e mirë dhe planifikim
  • Transporti publik: koordinim i mirëfillët i nisjeve dhe mbërritjeve, informim më i qartë për përdoruesit dhe përmirësim i shërbimit brenda kapaciteteve reale
  • Infrastruktura sportive dhe objektet publike: sistem i rregulluar i shfrytëzimit dhe i mirëmbajtjes
  • Transparenca dhe komunikimi: synojmë që informacionet të jenë të qasshme, të kuptueshme dhe në kohë – dhe që raportimet dhe ankesat të trajtohen përmes një procedure të qartë


Theksoj veçanërisht se pa bashkëpunimin me qytetarët nuk ka rezultat të qëndrueshëm. Prandaj do të inkurajojmë raportimin e problemeve, sugjerimet dhe iniciativat, por po ashtu presim edhe qasje të përgjegjshme ndaj hapësirës së përbashkët. Në këtë drejtim, përveç punës sonë në terren, pjesë e rëndësishme e zgjidhjes është edhe zbatimi i qëndrueshëm i rregullave përmes bashkëpunimit me shërbimet kompetente komunale, Policinë Komunale dhe organet inspektuese, si dhe partneriteti me institucionet dhe bizneset kur kjo është e domosdoshme për zgjidhje të qëndrueshme.

Qëllimi ynë nuk është vetëm “ta kryejmë punën”, por të ndërtojmë besim, që të dihet kush është përgjegjës, cili është plani, cilët janë afatet dhe cilat janë prioritetet.

Së bashku mund të arrijmë më shumë, për një Tuz më të pastër, hapësira publike më të rregulluara dhe një mjedis jetësor më të shëndetshëm.

Drejtori ekzekutiv

Albian Sinishtaj

Show More
Back to top button
Close